Mbas lindjes
Urime të përzemërta për lindjen e bebes suaj!
Konsulentja juaj nga donum vitae edhe në kohën mbas lindjes me dëshirë merr kohë për pyetjet tuaja.
1. Mbas lindjes ka shumë gjëra, që duhen kryer. Sado, në radhë të parë ka shumë rëndësi gjatë lehonisë, që nëna dhe fëmija të gjejnë rehati. Në kohën e riformimit mbas lindjes, nëna e re ka derdhjen e gjakut të lehonisë, kontraktime mbas lindjes, ndonjëherë hemorroide, plagë nga lindja që shërohen, plasje djerse dhe një ardhje të qumështit me dhimbje. Do shumë javë, derisa ndryshimet fizike për shkak të shtatzënisë të jenë kthyer në gjendjen e mëparshme. Nëse rastis që ju nuk jeni gjithmonë në humor dhe e lumtur, kjo është normale. Nëse shfaqet një plogështi dhe një trishtim i paparë, që zgjat me ditë, ju lutemi, kërkoni ndihmë tek konsulentja/konsulenti juaj, tek mjeku/mjekja juaj ose tek mamia juaj.
2. Mamia juaj ju shoqëron në kohën e parë me beben. Ajo kontrollon proceset e riformimit tek nëna, zhvillimin e bebes dhe mbështet në gjidhënie. Do të ishte mirë, që direkt mbas lindjes fëmija e porsalindur të vihet në gji edhe të gëzojë sa më shumë kontakt fizik. Në fillim bebja pi vetëm racione të vogla, por totalisht të mjaftueshme të kulloshtrës veçanërisht të çmuar. Është normale, që në ditët e para mbas lindjes bebet humbin pak peshë. Vënia e rregullt në gji nxit derdhjen e hormoneve për krijimin e mjaftueshëm të qumështit.
Nëse nuk jeni në gjendje të jepni gji, nuk duhet të keni merak. Në Gjermani ka qumësht artificial të cilësisë së lartë, i cili u është përshtatur tamam nevojave të bebes suaj, kështu që ajo mund të zhvillohet mirë dhe të rritet e shëndetshme. Për pyetje ose probleme, drejtohuni plot besim mamisë suaj ose konsulentes suaj për gjidhënie.
3. Ju lutemi, paraqiteni beben tuaj për kontrollet preventive tek pediatrja/pediatri. Kontrolli U1 zhvillohet direkt mbas lindjes, kontrolli U2 midis ditës së 3-të dhe ditës së 10-të të jetës së bebes dhe kontrolli U3 në javën e 4-t ose të 5-të të jetës së bebes. Ju merrni nga pediatrja fletoren e verdhe të kontrolleve të fëmijës, në të cilën shënohen të gjitha rezultatet e kontrolleve. Kini kujdes në banesën tuaj për parandalimin e vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS), që bebja juaj të fle mbi shpinë në një thes gjumi në krevatin e vet pa batanije shtesë, pa arusha ose jastëkë. Mbroni beben tuaj nga nxehja e tepërt gjatë gjumit dhe, nëse ka duhanpirës në shtëpi, kini kujdes për një ambient pa duhan. Gjidhënia është gjithashtu një faktor sigurie. Përmes këtyre masave parandaluese, numri i rasteve të vdekjes së papritur të foshnjave në Gjermani vitet e fundit është zvogëluar për gati 80%.
4. Shëndeti i fëmijës është i rëndësishëm, por gjithashtu edhe ai i nënës! Kini kujdes për një ushqyerje të mirë dhe të balancuar me marrje të mjaftueshme të lëngjeve, kini kujdes për kohëra pushimi dhe pyesni maminë tuaj për gjimnastikë të fokusuar riformimi. Ndoshta ju nuk doni të mbeteni sërish shtatzënë tani afër, atëherë bëni mirë të kujdesni bashkë me partnerin tuaj për kontracepsion. Konsulentja për gra shtatzëna mund t´ju informojë dhe t´ju mbështesë në këtë në mënyrë të gjithanshme.
5. Gjidhënia nuk siguron mbrojtje absolute ndaj mbetjes shtatzënë. Veçanërisht mbas një lindjeje me prerje cezariane rekomandohet që të pritet një vit, para se të lindë një shtatzëni e re. Prezervativë ose një diafragmë janë të përshtatshme si metoda kontraceptive mbas shtatzënisë, nëse përdoren në mënyrë konsekuente. Mjete kontraceptive me estrogjen nuk mund të përdoren gjatë kohës së gjidhënies. Mjete me progjestativ, si minipilula, pajisja IUD hormonale, implanti hormonal dhe injeksioni tremujor parimisht janë të përshtatshme. Ju lutemi, bisedoni me gjinekologen/gjinekologun tuaj rreth metodës së përshtatshme për ju.
6. Mundet që bebja juaj është tip i qetë. Por disa fëmijë janë shumë të shqetësuar në kohën e parë dhe qajnë shpesh. Është mirë dhe e përshtatshme, të ofroni shumë kontakt fizik dhe të reagoni direkt sipas nevojave të bebes. Ju nuk mund të llastoni një fëmijë të porsalindur. Përmes kujdesjes suaj të dashur, bebja zhvillon një besim pa kushte ndaj prindërve të vet dhe ndaj botës. Ky besim do të jetë një bazë e sigurte për një zhvillim optimal. Nëse bebja juaj qan tepër shumë dhe ju ndjeni, që jeni të mbingarkuar me situatën, ju lutemi, merrni me patjetër ndihmë tek mamia juaj ose tek konsulentja juaj për gra shtatzëna. Mbingarkimi dhe meraku mund të ndryshohen në ngathtësi dhe zemërim. Nëse hyni në një situatë të tillë të jashtëzakonshme, ju lutemi, ulni fëmijën tuaj, që bërtet, në një vend të sigurt (krevati), dilni nga dhoma, mbyllni derën dhe dilni për pak minuta në ajër të pastër për t´u qetësuar. Ka mundësi, që situata të tilla shfaqen reagime të tmerrshme në gjendje afekti nga ana e prindërve, të cilët e shkundin beben e vet, derisa ajo e lë të qarën. Truri i ndjeshëm i bebes mund të reagojë me dëme më të rënda e të pashërueshme truri. Ne kemi në Gjermani sisteme të mira ndihme, për t'i ndihmuar nënat dhe prindërit. Këto janë institucione të Ndihmave të Hershme, të Zyrës për të Rinjtë, mami familjeje, ndihma familjare e shumë të tjera. Konsulentja juaj për gra shtatzëna di ç´duhet bërë dhe ju gjen vendet e duhura të ndihmës. Të kërkoni ndihmë me kohë për të mirën e familjes, kjo nuk është dobësi, por një shenjë force!
7. Organizime: Edhe mbas lindjes, shumë gjera duhen organizuar. Certifikatën e lindjes merrni në Zyrën e Gjendjes Civile (ndonjëherë edhe në spital). Me anë të postës merrni një letër me numrin e taksës për fëmijën (quhet "Steuer ID" - ju lutemi, ruani atë). Ju lutemi, lajmëroni lindjen e fëmijës suaj tek Enti për Banim dhe Migrim, tek Enti Federal për Migrim dhe Refugjatë BAMF (Bundesamt für Migration und Flüchtlinge), tek zyra e punës, tek shërbimi social, i cili është përgjegjës për ju, dhe nëse jeni në punë, tek sigurimi shëndetësor. E drejta për pagesa për fëmijët, pagesa për kohën e edukimit, pagesa për banesën, shtesa financiare për fëmijët dhe pagesa e Landit për kohën e edukimit/ pagesa bavareze e kujdestarisë (vetëm në Bavari) varen nga statusi juaj i qëndrimit. Ju lutemi, për pyetje drejtohuni konsulentes suaj për gra shtatzëna Nëse nuk u realizua tashme para lindjes, babai - në qoftë se nuk jeni të martuar - bën mirë të pranojë atësinë para Zyrës së Gjendjes Civile ose para Zyrës për të Rinjtë. Informohuni për oferta të kujdestarisë së fëmijëve. Shpesh fëmijët duhen regjistruar shumë herët.