Ndihma e mamisë
1. A ekziston në vendin tuaj të origjinës profesioni i mamisë?
Ndoshta në vendin tuaj të origjinës gra shtatzëna këshillohen dhe përkrahen gjatë shtatzënisë nga gra me përvojë, nga nëna, motra ose shoqja e vet.
Plus përkrahjes nga të afërmit, në Gjermani ekzistojnë ofertat e konsultimit për gra shtatzëna.
Ju keni të drejtë për një shoqërim të gjithanshëm nga një mami.
Ndoshta njëherë ju ndiheni e vetmuar me pyetjet, hallet, ankthet por edhe me gëzimin e pritjes për beben tuaj?
Përkujdesja shëndetësore në Gjermani, kontrollet gjatë shtatzënisë, ofertat rreth lindjes dhe përkujdesja për nënën e fëmijën mbas lindjes ju duken akoma të pakuptueshme?
Ne ju këshillojmë, ju informojmë dhe ju shoqërojmë.
2. Çfarë pune bën një mami?
Mamia është një specialiste për të gjitha pyetjet rreth shtatzënisë, lindjes dhe përkujdesjes së fëmijëve. Ajo ka kryer një shkollim profesional të specializuar dhe të gjerë.
Me atë ju mund të shkëmbeni mendime rreth ndryshimeve midis përkujdesjes në vendin tuaj të origjinës dhe në Gjermani.
Mamia ju këshillon dhe ju përkrah para, gjatë dhe mbas lindjes. Puna e saj i nënshtrohet detyrimit për ruajtjen e sekretit, pa miratimin tuaj asaj nuk i lejohet të flasë me njerëz të tjerë ose të shkëmbejë informacione rreth jush.
Gati të gjitha shërbimet e mamisë janë falas për ju.
Gjatë shtatzënisë:
Mamia ju ndihmon në pyetje rreth të ushqyerit, seksualitetit, partneritetit, rreth shqetësimeve në shtatzëni si përzierje, urth, dhimbje shpine, kontraktime të parakohshme dhe ankthe.
Ajo ju përkrah, nëse nuk e dini, çfarë lloj gjërash ju duhen për veten dhe për beben tuaj.
Mamia edhe mund t´i kryejë të gjitha kontrollet para lindjes – përveç skanimit me ultratinguj.
Ju mund t´i kryeni kontrollet gjatë shtatzënisë tek mamia, tek mjekja/ mjeku, ose tek të dy në alternim.
Mamia bisedon me ju, se ku ju doni të lindni fëmijën tuaj. Ajo ofron kurse rreth përgatitjes për lindjen. Ka kurse, që zhvillohen një herë në javë për një kohë prej disa javësh ose edhe kurse më kompakte p.sh. në një fundjavë. Në disa vende ka kurse në gjuhën tuaj me një përkthyese. Disa kurse përgatitore për lindjen ofrohen si kurse vetëm për gra, ka të tjera ku edhe baballarë të ardhshëm janë të pranishëm. Ju vendosni, se si ju duket më mirë. Në një kurs të tillë ju mësoni, çfarë ndodh gjatë lindjes, si mund të zbuten dhimbjet, dhe ju merrni shumë nxitje dhe këshilla për kohën e parë dhe të rëndësishme me beben tuaj, si gjidhënia, të ushqyerit, përkujdesja e bebes.
Gjatë lindjes:
Mamia shoqëron dhe ndihmon në lindje. Ajo ju tregon pozita, ushtrime dhe metoda frymëmarrjeje, të cilat e lehtësojnë lindjen. Ajo ndihmon, që nëna dhe fëmija ta kalojnë lindjen mbarë. Kur ka probleme, ajo merr ndihmën e një mjekeje / të një mjeku.
Mbas Lindjes – gjatë lehonisë:
Nëna dhe fëmija mund të qëndrojnë ditët e para në spital, ose – nëse gjithçka është në rregull – të kthehen mbas pak orësh prapë në shtëpi, domethënë si lindje ambulante. Mamia juaj kujdeset për ju dhe fëmijën tuaj pastaj në banesën apo strehimin tuaj.
Në dhjetë ditët e para pas lindjes mamia mund të vijë përditë tek ju, në javët e para ajo prapë mund të vijë disa herë tek ju. Për probleme në gjidhënie ose për pyetje rreth të ushqyerit, me gjithë dëshirë ju mund t´i drejtoheni mamisë suaj edhe pas kësaj kohe.
Mamia kujdeset për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, ajo këshillon në gjidhënie, në të ushqyerit me biberon, në përkujdesjen e foshnjës, ajo kontrollon kërthizën e fëmijës dhe peshën, dhe ajo është në gatishmëri për të këshilluar dhe për të ndihmuar, kur dalin pyetje dhe pasiguri.
Një "mami e familjes" mund t´ju shoqërojë gjatë vitit të parë të jetës së bebes suaj. Pyesni konsulenten tuaj për gra shtatzëna.
3. Si mund ta gjej një mami?
Në këtë kohë të veçantë, kur ju bëheni nënë/ prindër, ka shumë rëndësi, që ju të ndiheni të sigurt dhe të shoqëruar mirë. Tashme herët që nga java 12 e shtatzënisë, ju lutemi kujdesuni, që të merrni përkrahje nga një mami. Mamitë në Gjermani kanë shumë punë. Nëse filloni të kërkoni vetëm në fund të shtatzënisë, mund të ndodh, që nuk do të gjeni një mami. Nëse keni nevojë për përkrahje në këtë, drejtohuni me gjithë dëshirë zyrës suaj të konsultimit për gra shtatzëna donum vitae.